Saturday, September 8, 2007

biletat SHQIPERI - HOLLANDE

Pas çdo dite që kalon, "ethet" për ndeshjen e 12 shtatorit me Holandën rriten. Kjo jo vetëm në radhët e përfaqësueses së drejtuar nga Oto Bariç, por edhe mes tifozëve, të cilët pritet ta mbushin plotë e përplot stadiumin "Qemal Stafa". Interesimi për sfidën eliminatore me "tulipanët" e Marko van Bastenit është maksimale, e kjo është dukur në ditën e parë që biletat kanë dalë në shitje. Ritmet me të cilat janë blerë kanë qenë shumë të larta, ndërkohë që numri i biletave në treg ka qenë relativisht i kufizuar, pasi pjesa më e madhe e tyre ishin prenotuar prej kohësh nga institucionet e ndryshme dhe grupimet e tifozëve të organizuar. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Lysjen Nurishmi. "Ende nuk e dimë me saktësi numrin e biletave të shitura, por ritmet me të cilat ato janë tërhequr kanë qenë mjaft të larta", ka pohuar ai. "Megjithatë, duhet pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e biletave kanë qenë të prenotuara kohë më parë. Në këtë mënyrë e gjithë tribuna kryesore dhe një numër i madh biletash për tribunën D2 (qendrorja e karshisë) ishte rezervuar për institucionet, ndërkohë që edhe tifozeritë e organizuara kishin prenotuar mjaft bileta. Këtu nuk duhen harruar as biletat për 400 tifozët holandezë, të cilët do të stacionohen në tribunën D1". Frika më e madhe pak orë përpara takimit të 12 shtatorit nuk është tregu i zi, por falsifikimet. "Mund të themi që këtë herë nuk i trembemi tregut të zi për biletat, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të prenotuara dhe janë marrë direkt në zyrat e federatës, ka përfunduar Nurishmi. Më së shumti i trembemi falsifikimeve të biletave dhe për këtë arsye kemi paralajmëruar forcat e rendit, por edhe punonjësit në dyert e stadiumeve. U kemi treguar të gjitha pullat e sigurisë dhe shpresojmë që t‘i minimizojmë këto fenomene".

No comments: